Karateistja 17-vjeçare me origjinë nga Lezha, Mikela Skandaj, ka shënuar një tjetër sukses të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare. Sportistja triumfoi me 4 medalje të arta në Kampionatin Italian të Karatesë, të zhvilluar në Villafranca di Verona.
Skandaj dominoi në të dyja disiplinat, kata dhe kumite, duke triumfuar si në kategorinë e saj të moshës, ashtu edhe përballë sportisteve më të rritura. Në këtë kampionat, ku morën pjesë mbi 700 garues, ajo u ngjit katër herë në majën e podiumit.
Me këtë rezultat, Mikela e çon në 78 numrin e medaljeve të fituara gjatë karrierës së saj. Në arritjet më të rëndësishme të 17-vjeçares spikasin edhe titulli i nënkampiones së botës në kampionatin WUKF në Rumani dhe tre titujt e nënkampiones së Europës.
Suksesi i saj është përshëndetur nga babai, Angjelin Skandaj, dhe kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, të cilët e kanë cilësuar sportisten krenari për qytetin dhe sportin shqiptar.
Edhe pse garon nën flamurin italian, Mikela nuk i harron rrënjët e saj nga Zadrima e Lezhës, duke vijuar të shkëlqejë në arenën ndërkombëtare.

