SHBA kërkon ekstradimin e “El Chapo Isidro”, kreu i kartelit të drogës u arrestua në Meksikë

Shtetet e Bashkuara kanë paraqitur një kërkesë për ekstradimin e Fausto Isidro Meza Flores, i njohur si “El Chapo Isidro”, pas arrestimit të tij në Meksikë, bëri të ditur Ministri meksikan i Sigurisë, Omar Garcia Harfuch.

Trupat ushtarake të Meksikës vunë në pranga Meza Flores të premten mbrëma në shtetin Sinaloa, së bashku me dy figura të tjera të rëndësishme të organizatës së tij. Ai renditej si një nga dhjetë të arratisurit më të kërkuar nga Byroja Federale e Hetimeve e SHBA-së, sipas një raportimi të Reuters.

Autoritetet meksikane nuk kanë bërë ende të qartë nëse do t’i përgjigjen apo jo kërkesës amerikane për ekstradimin e Meza Flores.

Ministri i Mbrojtjes së Meksikës, Ricardo Trevilla, njoftoi se gjatë operacionit mbetën të vrarë 16 persona të dyshuar si anëtarë të grupit kriminal, pasi të armatosur ndërhynë me forcë për të çliruar Meza Flores nga duart e policisë.

Agjencia njoftoi se në këtë aksion morën pjesë gjithsej 361 ushtarakë dhe 14 avionë.

Sipas të dhënave nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së, Meza Flores dhe grupi i tij kanë kontrabanduar sasi të mëdha heroine, metamfetamine, kokainë dhe marihuanë drejt SHBA-së për më shumë se 20 vite.

Ky arrestim shënon një tjetër episod në vargun e fundit të ndalimeve dhe vrasjeve të trafikantëve të njohur të drogës në Meksikë, një vend që ndodhet nën trysninë e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të forcuar luftën kundër karteleve të narkotikëve.

Reuters kujtoi se Trump ka paralajmëruar ndërhyrje të njëanshme ushtarake nëse administrata e tij do të konsiderojë se Meksika nuk po merr masa të mjaftueshme për t’i luftuar këto grupe.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

Më të lexuara

Lexo edhe