Autoritetet në Iran kanë zbatuar dënimin me 74 goditje me kamzhik ndaj këngëtares Parastu Ahmadi, pasi ajo u shfaq pa shami në një koncert të transmetuar në YouTube.
Agjencia iraniane e lajmeve ISNA raportoi lajmin, duke cituar avokatin e këngëtares. Sipas deklaratës së tij, dënimi është ekzekutuar për 29-vjeçaren dhe katër pjesëtarët e tjerë të grupit të saj.
Ngjarja lidhet me një performancë të mbajtur në dhjetor 2024, në një sallë bosh, e cila më vonë u shpërnda në internet. Në video, Ahmadi shfaqet me një fustan të gjatë pa rripa, pa shami dhe me buzë të lyera me të kuq, duke u shoqëruar nga pianist, baterist, kitarist dhe basist.
Kjo performancë u bë virale, duke tërhequr mijëra shikues dhe arriti mbi 3 milionë klikime në kanalin e saj në YouTube.
Gratë në Iran janë të detyruara t’i përmbahen rregullave të rrepta për paraqitjen publike, ndërsa interpretimi i tyre para audiencës është i ndaluar në disa raste.
Ahmadi u mbajt në paraburgim për dy javë para se të lirohej me kusht. Ajo dhe pjesëtarët e grupit u akuzuan për shkelje të normave të moralit publik dhe për prodhim e shpërndarje të përmbajtjeve të cilësuara të pahijshme nga autoritetet.
Ky rast ka shkaktuar reagime edhe nga organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Në fillim të tetorit, Amnesty International dënoi vendimin e gjykatës dhe i kërkoi Iranit të ndalonte ekzekutimin e dënimit me kamzhik, duke e përshkruar atë si “një ndëshkim mizor, çnjerëzor dhe degradues”.
Rasti i Ahmadi ka rindezur debatet për kufizimet që gratë hasin në Iran sa i takon lirisë së shprehjes artistike dhe të drejtave personale.
