Benet Beci “blen” Vllazninë

Benet Beci po bën përpëlitjet e fundit për të rikandiduar për Bashkinë e Shkodrës, edhe pse shanset për ta bërë këtë thuajse janë zeruar.

Dje bëri përpjekjen e radhës duke pritur në zyrë një prej armiqve të tij, presidentin e Vllaznisë, Alban Xhaferi, i cili shoqërohej nga trajneri Csaba László dhe kapiteni Bekim Balaj.

Takimi i 17 nëntorit u prezantua si një bashkëbisedim për objektivat e skuadrës dhe vijimin e bashkëpunimit mes klubit dhe bashkisë. Beci premtoi mbështetje për përmirësimin e stadiumit “Loro Boriçi”, ndërsa klubi e shoqëroi reagimin me mesazhin: “Së bashku jemi më të fortë!”.

Por kjo foto e buzëqeshjeve dhe bashkëpunimit vjen pas një historie krejt tjetër.

Në qershor të vitit 2025, marrëdhëniet mes Bashkisë Shkodër dhe drejtuesve të Vllaznisë ishin në një pikë të tensionuar. Shkak u bë organizimi i një koncerti në stadiumin “Loro Boriçi”, kundër të cilit doli klubi, duke pretenduar se po cenohej destinacioni sportiv i impiantit. Përplasja u shoqërua me akuza publike, debate dhe ironi nga vetë Alban Xhaferi ndaj kryebashkiakut.

Vazhdimisht keto dy figura kanë patur përplasje publike, por mesa duket distanca mes dy palëve u shkri në pak ditë, sepse Beci ka nevojë për mbështetje, dhe duke ditur peshën që futbolli ka në Shkodër, Alban Xhaferi mund t’i bëjë punë.

Beci e di fare mirë që Vllaznia nuk është thjesht një ekip futbolli. Ajo është identitet, krenari dhe një ndër faktorët që bashkon mijëra qytetarë. Mbështetja e saj dhe afrimi me drejtuesit e klubit mund të përkthehen edhe në kapital elektoral.

Ndaj ai po përpiqet të fitojë zemrat e tifozëve përmes afrimit me drejtuesit e kuqebluve, të cilët lanë mënjanë dinjitetin dhe nxituan të ulen në foto pranë Kryetarit të Bashkisë.

Por ndërsa kryebashkiaku shfaqet i buzëqeshur në tryezën e bashkëpunimit me Vllazninë, halli i madh është gjetkë, tek vendimi i Gjykatës së Posaçme.

SPAK ka kërkuar burg dhe 5 vite ndalim të funksioneve publike dhe kjo e ka lënë pa gjumë Becin.

Prokuroria kërkon jo vetëm një dënim penal, por edhe ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike për pesë vite.

Me një kërkesë të tillë të SPAK-ut mbi tryezë, a ka Benet Beci kredibilitetin dhe përgjegjësinë morale për të kërkuar sërish besimin e qytetarëve?

Si mund të flitet për drejtimin e qytetit dhe të ardhmen e tij, kur vetë drejtuesi i bashkisë përballet me një kërkesë të prokurorisë për burg dhe përjashtim pesëvjeçar nga funksionet publike?

Në Shkodër, ndërkohë, fotografia e re e pajtimit me Vllazninë është bërë. Në të vërtetë ajo është një urë drejt votave të tifozëve, të cilët e dinë mirë se ai që buzëqesh me presidentin e Vllaznisë, është një hajdut që nuk do të ketë mundësi të rikandidojë më.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

Më të lexuara

Lexo edhe