Lumi i Currajve në Tropojë ka dalë në një situatë alarmante pas reshjeve intensive të shiut, teksa prurjet e rrëmbyeshme kanë zbuluar fuqinë e tij dhe po kërcënojnë infrastrukturën e zonës.
Uji me intensitet të lartë ka marrë përpara gjithçka që i ka dalë në rrugë, duke shkatërruar edhe punimet e kryera nga KESH për ndërtimin e pritave mbrojtëse. Situata bëhet edhe më shqetësuese për shkak të rritjes së nivelit të lumit, i cili po afrohet rrezikshëm pranë urës së Mërturit.
Ironia qëndron te fakti se ky lumë, të cilin Ministria e ka klasifikuar si përrua, sot po demonstron përmasat dhe fuqinë e prurjeve të tij.
Përmes një reagimi, banori i zonës, Nikoll Prekperaj, e cilëson situatën të jashtëzakonshme. Ai vlerëson angazhimin e Zeqir Bushgjokajt, duke theksuar se ndërhyrjet e tij kanë ndihmuar në mbajtjen e rrugës në gjendje të mirë.
Megjithatë, shqetësimi kryesor mbetet avancimi i ujërave drejt urës së Mërturit, e cila rrezikon të dëmtohet nga prurjet e shumta.
Banorëve, veçanërisht atyre që jetojnë pranë lumenjve dhe zonave me rrezik përmbytjeje, u bëhet thirrje të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin lëvizjet në territoret e rrezikuara.
Sot, Lumi i Currajve po jep një tjetër dëshmi se natyra nuk njeh klasifikime në letra dhe se nënvlerësimi i rrezikut mund të ketë pasoja serioze.
