Këshilltari socialist në Bashkinë e Shkodrës, Mirsad Basha, ka ngritur shqetësimin për fondin prej 70 milionë lekësh të përdorur për ndërtimin e zyrës së re të informacionit në qytet.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Basha vë në pikëpyetje koston e investimit dhe kërkon të dijë se çfarë është bërë me paratë e taksapaguesve. Ai shkon edhe më tej, duke propozuar shembjen e strukturës së re dhe rikthimin e zyrës që ishte më parë.
Sipas tij, fondi i shpenzuar do të kishte qenë më i dobishëm nëse do të orientohej drejt nevojave të qytetarëve, si riparimi i trotuareve, mirëmbajtja e lulishteve, shërbimet për të moshuarit apo Shtëpia e Fëmijës.
“70 milionë lekë me shku në shërbime të vërteta për qytetin”, shkruan Basha, i cili kritikon edhe kostot e materialeve të përdorura në këtë investim, duke i krahasuar çmimet e hekurit me ato të arit.
Në përfundim, këshilltari socialist ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si po shpenzohen fondet publike dhe shpreh pakënaqësinë për trajtimin që, sipas tij, po i bëhet qytetit të Shkodrës.
