Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në Forumin e Paqes që do të mbahet në Paris, pas ftesës së bërë nga Presidenti francez Emmanuel Macron.
Edicioni i këtij viti i Forumit i kushton vëmendje thelbësore rolit të qeverisjes së efektshme në ruajtjen e paqes afatgjatë, sigurimin e stabilitetit dhe nxitjen e mirëqenies, teksa bota përballet me zhvillime të theksuara gjeopolitike, përparime teknologjike dhe sfida të ndërlikuara klimatike.
Gjatë këtij eventi ndërkombëtar, Kryeministri Rama do të marrë pjesë në një sesion të dedikuar në formatin “Spotlight”, ku do të diskutohet për perspektivën evropiane si dhe rëndësinë që ka rruga e anëtarësimit në Bashkimin Evropian për të rinjtë.
Po ashtu, Rama do të jetë pjesëmarrës në seancën plenare të Forumit të Paqes, e cila mban si tematikë “From Sovereignty to Cooperation” (Nga sovraniteti te bashkëpunimi).
Pjesëmarrësit në këtë sesion do të trajtojnë aspekte të ndryshme të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe sfidat që shfaqen në marrëdhëniet mes shteteve, në sfondin e zhvillimeve globale të kohëve të fundit.

