Ndërsa situatat emergjente dhe fatkeqësitë mbeten një sfidë për kapacitetet reaguese, ekipet e kërkim-shpëtimit nga Shqipëria dhe Kosova po punojnë për të përmirësuar përgatitjen e tyre për raste të tilla. Së fundmi, në zonën e Krrabës, këto ekipe realizuan një stërvitje të përbashkët me synimin për të forcuar aftësitë dhe bashkëpunimin në situata kritike.
Kjo stërvitje u përqendrua tek kërkim-shpëtimi me litar, por edhe te shkëmbimi i eksperiencave mes dy shërbimeve. Është hera e dytë që këto shoqata angazhohen në një trajnim të tillë – pas atij të parë të mbajtur një muaj më parë në Kosovë – megjithatë, ky është i pari që organizohet në Shqipëri.
Mentor Maloku, kryetar i Shoqatës së Kërkim-Shpëtimit të Kosovës, u shpreh: “Jemi në stërvitjen e dytë të radhës mes shoqatave të Kosovës dhe Shqipërisë. Ky trajnim synon bashkimin e njohurive në kërkim-shpëtimin me litar. Shumë shpejt do të vijojmë me trajnimet e radhës, të cilat do t’i zhvillojmë së bashku”.
Organizimi i këtij aktiviteti në Shqipëri vjen si pjesë e marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy shoqatave, e cila parashikon jo vetëm trajnime të përbashkëta, por edhe rritje të kapaciteteve për ndërhyrje të koordinuar në situata emergjente.
Zëvendëskryetari i Kërkim-Shpëtimit Malor Shqiptar, Blerim Çeka, theksoi: “Në bazë të marrëveshjes që kemi me Shoqatën e Kërkim-Shpëtimit të Kosovës, kjo është stërvitja e parë që zhvillohet në Shqipëri. Ajo vjen pas stërvitjes së parë të zhvilluar në Kosovë dhe e pamë të arsyeshme të organizonim një të tillë edhe në Shqipëri. Besoj se këto lloj shërbimesh janë shumë të nevojshme”.
Kërkim-Shpëtimi Malor Shqiptar, i themeluar rreth tre vite më parë, numëron aktualisht tetë grupe që operojnë në thuajse të gjitha prefekturat e vendit. Bashkëpunimi dhe trajnimi i përbashkët shihen si hapa thelbësorë për të ndërtuar kapacitete më të larta reagimi në të dyja vendet, në mënyrë që, përballë situatave kritike, ekipet të jenë të gatshme të ndërhyjnë në mënyrë të shpejtë dhe të koordinuar.
