SPAK nis hetimet për resortet turistike, në fokus edhe projekti në Rrjoll!

Prokuroria e Posaçme ka regjistruar një procedim penal pas kallëzimit të bërë nga ekspertë dhe protestues më 12 gusht 2025, ku përfshihen edhe projektet në Zvërnec dhe Divjakë-Karavasta.

Hetimi i SPAK vjen në një kohë kur kundërshtimi i banorëve të Baks-Rrjollit ndaj ndërtimit të resortit turistik vijon prej kohësh, me pretendime për parregullsi në procedurat e ndjekura, çështjen e pronësisë dhe ndikimin e projektit në zonë.

Sipas burimeve, deri më tani nuk ka persona të regjistruar me emër si të dyshuar apo nën hetim. Megjithatë, kallëzimi përfshin disa vepra penale, mes tyre shpërdorimin e detyrës, ndikimin e paligjshëm ndaj funksionarëve publikë, korrupsionin pasiv të zyrtarëve të lartë dhe krijimin e grupit të strukturuar kriminal.

Në dosjen e dorëzuar në SPAK janë bashkëngjitur edhe materialet e investigimit “The Albanian Files”, që trajtojnë zhvillimet turistike në zonat e mbrojtura, si dhe një databazë me 252 vendime të Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT).

Kallëzuesit pretendojnë se projektet janë miratuar përmes një skeme të përsëritur, ku fillimisht janë kryer ndryshime ligjore dhe janë përdorur instrumente të posaçme planifikimi, për t’i hapur më pas rrugë dhënies së lejeve të ndërtimit nga KKT-ja.

Përveç tri projekteve të përfshira në kallëzim, ekspertët dhe protestuesit kërkojnë që hetimi të shtrihet edhe në raste të tjera të ngjashme, duke verifikuar mënyrën se si janë miratuar investimet turistike në zona të mbrojtura.

Ndërkohë, për banorët e Rrjollit, regjistrimi i procedimit penal në SPAK shënon një tjetër zhvillim në betejën e tyre kundër resortit që kundërshtojnë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

Më të lexuara

Lexo edhe