Për të katërtën javë radhazi, mijëra qytetarë francezë mbushën rrugët në shenjë pakënaqësie ndaj politikave të qeverisë. Një prani e konsiderueshme policie ndaloi përpjekjet e “Jelekëverdhëve” për të afruar pranë pallatit presidencial, teksa në Lion u përdor gaz lotsjellës për të shpërndarë turma protestuesish.
Autoritetet kishin parashikuar pjesëmarrjen e deri në 170,000 protestuesve në të gjithë Francën, prej të cilëve 60,000 priteshin vetëm në Paris. Sipas Ministrisë së Brendshme, deri në orët e para të pasdites të së shtunës, numri i pjesëmarrësve në mbarë vendin arriti në rreth 7,000, një shifër më e ulët se ajo e regjistruar javën e mëparshme në të njëjtën kohë.
Për të parandaluar incidentet, rreth 70,000 forca sigurie u angazhuan në terren, ndërsa vendi ende mban gjallë kujtimet e trazirave të dhunshme të 17 tetorit, të cilat konsiderohen ndër më të rëndat e dekadës së fundit.
Në Paris, sindikatat drejtuan një marshim nga Sheshi i Republikës drejt Sheshit të Kombit. Ndërkohë, “Jelekëverdhët” kërkuan të organizonin një protestë të veçantë në Sheshin Concorde, vetëm pak metra larg Elizesë dhe Asamblesë Kombëtare Franceze.
Ky tubim ishte i ndaluar nga autoritetet, të cilat kishin vendosur një kordon të madh policie për të kufizuar hyrjen në zonë. Rreth 100 persona që synuan të mblidheshin aty u rrethuan nga forcat e rendit, teksa dy figura të njohura të lëvizjes u ndaluan nga policia.
Edhe në Lion u shënuan përplasje, kur dhjetëra protestues që bllokuan një rrugë kryesore në qendër të qytetit u shpërndanë nga policia me përdorimin e gazit lotsjellës në një tubim pa leje zyrtare.
Qasja e policisë ka shkaktuar polemika të forta. Janë hapur dhjetëra hetime mbi akuzat për përdorim të tepruar të dhunës ndaj protestuesve. Situata ka ndikuar negativisht edhe tek bizneset lokale, pasi shumë dyqane kanë zgjedhur të mbyllen ose të sigurojnë vitrinat me mbulesa druri, për t’u mbrojtur nga mundësia e incidenteve dhe plaçkitjeve.
Përballë kësaj situate, qeveria po tenton të ulë tensionet, megjithëse hapësira e saj për manovra ekonomike mbetet e kufizuar për shkak të borxhit të lartë publik.
Kryeministri Sebastien Lecorni ka planifikuar të zhvillojë një takim të hënën me përfaqësues të sindikatave dhe organizatave të punëdhënësve, ku në fokus do të jenë pagat dhe fuqia blerëse.
Ndërkohë, organizatat e studentëve dhe mësuesve kanë paralajmëruar një grevë të re për të martën, duke kërkuar investime më të mëdha në sektorin e arsimit.
Këto protesta po zhvillohen në një klimë të pasigurt politike, ndërsa Franca i afrohet zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027.
