Përmes një postimi në “Facebook”, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shprehur falënderime të sinqerta ndaj qytetarëve për mbështetjen e tyre, duke theksuar bindjen se do të dëshmojë pafajësinë në procesin ligjor që po zhvillohet kundër tij në Hagë.
Në mesazhin e tij, Thaçi u shpreh: “Dua t’ju shtrëngoj dorën secilit nga ju, t’ju përqafoj të gjithëve dhe t’ju siguroj se do të dalë me çdo qelizë time të pastër si loti në fund të këtij rrugëtimi, që vazhdon me ju dhe për ju”.
Më 16 shtator, Gjykata Speciale në Hagë e shpalli Thaçin fajtor dhe e dënoi me 25 vjet burg. Sipas vendimit të trupit gjykues, ai u shpall përgjegjës penalisht për krime të kryera gjatë luftës në Kosovë, duke përfshirë vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim të jashtëligjshëm.
Për secilën nga akuzat ndaj Hashim Thaçit, trupi gjykues ka vendosur dënime të veçanta:
- Pika 3 – Arrestim dhe ndalim arbitrar: për 385 persona, 15 vjet burgim.
- Pika 5 – Trajtim mizor: i kryer ndaj së paku 49 personave, 4 vjet burgim.
- Pika 7 – Torturë: e kryer ndaj së paku 303 personave, 20 vjet burgim.
- Pika 9 – Vrasje e paligjshme: e kryer ndaj së paku 96 personave, 23 vjet burgim.
Gjykata ka bashkuar këto masa ndëshkuese në një dënim përfundimtar prej 25 vjetësh, në të cilin do të përfshihet edhe periudha e qëndrimit të Thaçit në paraburgim.
