Një valë kërcënimesh të rreme për bomba, që këtë javë ka prekur më shumë se 20 fluturime nëpër aeroportet e Evropës, ka shkaktuar shqetësim të gjerë dhe ndërprerje të shumta në trafik. Incidentet kanë sjellë devijime të avionëve, vonesa të konsiderueshme dhe, në disa raste, ngritjen në gatishmëri të avionëve ushtarakë.
Vetëm të enjten, u raportuan ndërprerje në mbi dymbëdhjetë fluturime, përfshirë katër devijime në Republikën Çeke dhe dy të tjera në Itali. Ishte hera e dytë këtë javë që situata të tilla godisnin aeroportet evropiane. Të martën, kërcënime me bombë kanë mbërritur tek të paktën shtatë fluturime dhe një anije turistike.
Kërcënime të përcjella me email
Origjina e kësaj serie alarmesh mbetet ende e paidentifikuar, por autoritetet çeke dhe italiane konfirmojnë se të gjitha kërcënimet janë dërguar nëpërmjet email-it.
Një zyrtar i aeroportit Václav Havel në Pragë bëri të ditur se alarmet për katër fluturime u morën me email anonim. Policia e Çekisë ka sqaruar se mesazhi i ishte adresuar aeroportit, dhe se raste të ngjashme janë raportuar edhe në aeroporte të tjera të kontinentit.
Ndërkohë, në Itali, dy kërcënime ndaj fluturimeve që mbërrinin në Romë vinin nga një grup antifeminist i vetëquajtur “Shteti Mashkullor”. Email-i kërcënues iu dërgua një kompanie logjistike të lidhur me aeroportin Fiumicino dhe pohonte se në dy avionë të ardhur nga Helsinki dhe Dublini ishin vendosur pajisje shpërthyese. Edhe pse autoritetet vërtetuan që mesazhi ishte i njëjtë me atë të grupit, hetimet nxorën në pah se alarmet ishin të rreme.
Qendra Ndërkombëtare për Kundër-Terrorizmin raporton se grupi “Shteti Mashkullor” është themeluar në Rusi në vitin 2016 si një lëvizje mizogjine dhe më vonë u rreshtua pranë luftës së Moskës në Ukrainë. Në vitin 2021, një gjykatë në Rusi e shpalli grupin organizatë ekstremiste dhe e ndaloi aktivitetin e tij.
Ndjenja se mund të ketë prapavijë hibride
Ndonëse ende nuk është identifikuar asnjë autor apo organizatë përgjegjëse, Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se është herët për të konstatuar ndonjë lidhje midis këtyre incidenteve.
Sidoqoftë, ekspertë të sigurisë nuk përjashtojnë hipotezën se bëhet fjalë për një fushatë të gjerë hibride, që synon të krijojë paqëndrueshmëri dhe të testojë përgjigjen e institucioneve dhe kompanive ajrore.
Eric Schouten, drejtues i kompanisë së sigurisë së aviacionit Dyami, hodhi dyshime se sabotatorë që mbështesin shtetin rus mund të jenë pas këtyre episodeve. Ai theksoi se kërcënimet ndaj industrisë së fluturimeve i përshtaten një modeli më të gjerë të operacioneve që synojnë destabilizimin e Evropës, në veçanti shtetet që ndihmojnë Ukrainën.
Ministrja britanike e Transportit, Heidi Alexander, i ka cilësuar incidentet si “mashtrim dashakeq” dhe siguroi se autoritetet kanë vepruar sipas protokolleve të parashikuara për raste të tilla kërcënimesh.
Fluturimet devijohen, por eksplozivët mungojnë
Me gjithë panikun dhe ndërprerjet e regjistruara, deri tani të gjitha kërcënimet për bombë kanë rezultuar të pabazuara. Autoritetet kanë konfirmuar se asnjë pajisje shpërthyese nuk është gjetur gjatë kontrollit të avionëve të sinjalizuar.
Të enjten, alarmet ndikuan tek pasagjerët dhe stafi i 14 avionëve. Një avion Aer Lingus që udhëtonte drejt Romës u devijua në Francë, ndërsa dy avionë që vinin nga Spanja dhe Danimarka u ulën të detyruar në Sofje, Bullgari. Këto zhvillime pasuan devijimet e të paktën shtatë fluturimeve të ndodhura të martën.
Sipas ekspertëve, qëllimi i këtyre kërcënimeve mund të shkojë përtej krijimit të kaosit, duke iu mundësuar aktorëve të paidentifikuar të vëzhgojnë reagimet operative të linjave ajrore dhe strukturave përgjegjëse.
Eliran Almog, drejtues i kompanisë së sigurisë kibernetike në aviacion Cyviation, theksoi se këto incidente po ndodhin paralelisht me sulmet kibernetike ndaj sistemeve të ftohjes në supermarkete në disa vende evropiane.
Sipas tij, ndërprerja e shërbimeve të domosdoshme po sjell kosto ekonomike dhe po vë në pikëpyetje besimin e publikut.
