Aktori dhe komediani i njohur britanik, Russell Brand, është shpallur fajtor për një akuzë përdhunimi si dhe tri akuza për sulm seksual, pas një procesi gjyqësor të zhvilluar në Gjykatën e Southwark në Londër. Në total, Brand përballej me shtatë akuza: tre për përdhunim, tre për sulm seksual dhe një për tentativë sulmi të pahijshëm.
Juria vendosi ta shpallë fajtor për katër prej akuzave, ndërsa për tre të tjerat u lirua nga përgjegjësia. Ky vendim vjen pas shqyrtimit të dëshmive të disa grave, të cilat akuzuan aktorin për abuzime seksuale të kryera në periudha të ndryshme.
Sipas gjykatës, Brand u shpall i pafajshëm për akuzën e përdhunimit të një gruaje në një hotel në Bournemouth në vitin 1999, periudhë kur ai ndodhej aty për të marrë pjesë në konferencën e Partisë Laburiste. Ai u lirua gjithashtu nga akuza për tentativë sulmi të pahijshëm ndaj një gruaje në vitin 2001, për të cilën dyshohej se e kishte tërhequr drejt tualetit pasi e kishte kapur prej krahu.
Aktori u shpall po ashtu i pafajshëm për akuzën e përdhunimit oral ndaj një gruaje në tualetin e një bari në Londër, ngjarje që dyshohet të ketë ndodhur gjatë një feste ditëlindjeje, ku të dy kishin marrë pjesë.
Pas dhënies së vendimit, vëmendja u zhvendos jashtë ambienteve të Gjykatës së Southwark, ku dhjetëra gazetarë dhe fotografë prisnin momentin kur Brand do të largohej me makinën e policisë. Në ndryshim nga ditët e mëparshme të procesit, kur shoqërohej nga të afërm, përfshirë bashkëshorten Laura, këtë herë ai u pa të largohej i vetëm.
Brand do ta kalojë natën në qeli dhe të hënën pritet të paraqitet sërish para gjykatës, ku do të njihet me masën e sigurisë që do të caktohet ndaj tij.
Pas shpalljes së vendimit, Prokuroria e Kurorës në Britani (CPS) reagoi përmes prokurorit të lartë David Roberts, anëtar i njësisë së posaçme për trajtimin e përdhunimeve dhe sulmeve të rënda seksuale në Londër.
“Russell Brand ishte grabitqar dhe përdori statusin e tij si personazh i famshëm për të kryer krime seksuale”, deklaroi Roberts.
Ai e përshkroi Brandin si një njeri manipulator që kërkonte të arrinte objektivat e tij, pavarësisht nëse kishte miratimin e viktimave.
“Teksa karriera e tij po merrte hov, ai shfrytëzoi mundësitë për të sulmuar seksualisht gratë që kishte përreth. Megjithëse taktikat e tij ndryshonin, në qendër të çdo sulmi ishte abuzimi me pushtetin dhe lakmia seksuale, me shpërfillje të plotë për pasojat e veprimeve të tij”, u shpreh prokurori.
Roberts gjithashtu shprehu mirënjohje për gratë që vendosën të denonconin rastet dhe dëshmuan gjatë procesit gjyqësor, duke bërë të mundur vënien e Brand para drejtësisë.
