Një shqetësim i ngritur nga qytetarët gjatë takimeve me deputeten e Partisë Socialiste, Xhenis Çela, në kuadër të nismës “Prania Besnike” në Vaun e Dejës, ka marrë zgjidhje. Bëhet fjalë për mungesën e sinjalistikës orientuese në drejtim të Pukës dhe Komanit, e cila tashmë është plotësuar me vendosjen e tabelave përkatëse.
Pas evidentimit të problematikës nga banorët, deputetja Çela e ka përcjellë shqetësimin pranë ministres përgjegjëse, duke kërkuar ndërhyrjen për adresimin e tij.
Lajmin për zgjidhjen e kësaj problematike e ka bërë të ditur vetë deputetja përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shprehet se kërkesa e qytetarëve është ndjekur deri në realizimin e ndërhyrjes.
Vendosja e tabelave orientuese pritet të lehtësojë lëvizjen dhe orientimin e drejtuesve të automjeteve që udhëtojnë drejt Pukës dhe Komanit.
“Dëgjojmë, ndjekim dhe zgjidhim!”, shkruan deputetja Xhenis Çela.
