Materialet e hetimit nxjerrin në pah komunikime që ngrenë dyshime rreth lidhjeve dhe kontakteve të Ergys Agasit, i cili, sipas të dhënave, ka pasur komunikim edhe me dy shtetas izraelitë. Mesazhet e zbuluara hedhin dritë edhe mbi bisedat e tij me Fatjon Kallucin, shefin e sektorit të laboratorit të Policisë Shkencore – aktualisht i lënë në burg nga Apeli i GJKKO-së – si dhe me administratorin e një resorti në Durrës, i akuzuar se e ka ndihmuar Agasin të lëvizte me automjet gjatë kohës kur ndodhej në arrati.
Në dosjen e SPAK për Ergys Agasin theksohet: “E kam shoqe të ngushtë shefen e shërbimit sekret”, ndërsa vihet në dukje se Agasi kishte komunikim të drejtpërdrejtë edhe me dy izraelitët.
Janë bërë publike gjithashtu edhe bisedat mes Agasit dhe Fatjon Kallucit, shefit të laboratorit të policisë shkencore, i cili të hënën u la në burg sipas vendimit të Apelit të GJKKO-së.
Sipas hetimeve, përpara se të niste ekspertizën në SPAK lidhur me dokumentet e gjetura në makinën e Agasit, Kalluci informoi personalisht Agasin për këtë proces.
Mesazhet mes Ergys Agasit dhe Fatjon Kallucit, dy personave nën hetim, përfshijnë këtë komunikim:
“Kur është bërë këqyrja e Defender-it GG 444 AA, jo Range vishnje?
Këto kanë qenë brenda, sipas këtyre.
Këto kanë pasur vendim më vete si prova kur kanë ardhur tek ne për ekspertim.
Po besoj do kenë mbajtur ndonjë procesverbal kur kanë bërë këqyrjen e mjetit.
Ok, e kuptoj. Ajo pastaj hidhet poshtë me avokat, nuk pranohen në gjykatë si prova.
Këto janë të tjerat që janë gjetur si objekte.
Një dosje plastike e sajuar.”
Vijon biseda ku Kalluci i shkruan Agasit:
“Nuk e di, vlla, çfarë të them, se këqyrja nuk është bërë tek ne. E kanë bërë vetë ata.
Ata na sollën këto prova të paketuara vetëm për të bërë ekzaminimin, për të nxjerrë gjurmët ADN-së, se ku dhe si i dinë ata.
Po të shoh nëse gjej gjë dhe të nis procesverbalin.”
Gjithashtu janë zbardhur komunikimet midis Agasit dhe Emnro Sulejmanit, administratorit të një resorti në Durrës. Nga përmbajtja e bisedave rezulton se Sulejmani ka lëvizur me Agasin gjatë periudhës kur ky i fundit ishte në kërkim.
Një pjesë nga dosja hetimore sqaron:
-
Në mesazhet e datave 24 – 26.08.2026 zbulohet se Z. *** ka ndihmuar Z. Ergys Agasi për lëvizjet e tij në qytetin e Durrësit me automjet, në kohën kur Agasi ishte shpallur në kërkim. Komunikimet përfshijnë koordinimin mbi vendndodhjen, orarin dhe mënyrën e lëvizjes, si edhe kontrollin e hyrje-daljeve në zonën e Vilave Qeveritare në Durrës, ku Ergys Agasi zotëron një vilë të ruajtur nga Garda e Republikës. Veprimet e tij tregojnë rol aktiv, të organizuar dhe të vazhdueshëm në mbështetjen e Agasit, që përtej një ndihme të rastësishme. Më tej, në një bisedë të përgjuar të datës 26.08.2026, ora 21:26, zhvilluar disa orë pas arrestimit të Agasit, Z. *** pranon në mënyrë të tërthortë se e ka transportuar atë me mjet gjatë kohës në kërkim, dhe shpreh lehtësim që nuk është kapur bashkë me të, çka tregon vetëdije të plotë për paligjshmërinë e veprimtarisë së kryer.
