Nënkryetari i Kuvendit dhe deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka diskutuar së fundmi rreth mundësisë së bashkëpunimit midis partive për të zgjedhur një kandidat të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme.
Duke iu referuar shembullit italian të “Campo Largo”, Gjekmarkaj u shpreh se Partia Demokratike mbetet e gatshme për dialog, me qëllimin për të ndërtuar një strategji të suksesshme dhe për të propozuar një kandidaturë të fortë.
Ai theksoi gjithashtu se nuk e sheh të domosdoshëm bashkëpunimin me partinë e drejtuar nga Arlind Qori. I pyetur nëse PD do të mund të bashkëpunonte me partitë e Agron Shehajt dhe Adritatik Lapajt, Gjekmarkaj deklaroi se partia që përfaqëson është e hapur ndaj çdo partie që synon të sjellë ndryshim në Tiranë dhe në të gjithë vendin.
“Nuk kam tagër të flas për gjithë opozitën, por mund të flas në emër të Partisë Demokratike dhe mund të them që Partia Demokratike pa asnjë kompleks, pa asnjë paragjykim bën thirrje që të gjithë forcat opozitare, madje edhe socialistë që nuk duan këtë natyrë pushteti, t’i bashkohen një fronti opozitar sa më gjerë.
Ajo që në Itali quhet rëndomë “Campo largo”. Bashkohen studentë, qytetarë, partitë e vogla, parti të mëdha, pa paragjykime, pa meskenitete, pa pretendim.
Nuk mund të vijë dikush të vejë kushte absolutiste në qoftë se ka 2%, 3% por ne e rëndësishme është të ulemi në tavolinën e përbashkët, të përcaktojmë parimet e përbashkëta, modalitetet dhe të ndërtojmë strategjinë për ta mundur.
Me Qorrin nuk është e nevojshme por me çdo parti tjetër. Patjetër çdo partie tjetër që ka dëshirë domethënë të bëjë një betejë për ta ndryshuar Tiranën dhe Shqipërinë. Partia Demokratike është e hapur, jo thjesht me retorikë, por me gjeste e gatshme t’i pres të bisedojë pa parakusht.
Ne nuk kemi vënë kushte as parakushte. Pra, nuk kemi thënë çfarë kandidati do të nxjerrim. Sigurisht një opozitë, opozita ka natyrë politike, por e rëndësishme është që të dakordësohen rregullat që çojnë drejt një kandidature fituese dhe hajde të diskutojmë, diskutojmë për çdo gjë. Domethënë, Partia Demokratike është e hapur për të diskutuar”, tha ai.

