Partia Demokratike ka reaguar pas publikimit të letrës së Erion Veliajt nga burgu, ku ky i fundit pretendon se kryeministri Edi Rama i ka dërguar në qeli ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, për t’i kërkuar dorëzimin e Bashkisë së Tiranës, në të kundërt do të përballej me një dënim prej 100 vitesh burg.
Në deklaratën e saj, PD i cilëson këto pretendime si kërcënime mafioze dhe akuzon Ramën se po vepron si drejtues i një organizate kriminale.
Demokratët shprehen se jeta e Veliajt në burgun e Fierit është në rrezik serioz dhe pretendojnë se SPAK po përdoret si instrument shantazhi në përplasjet brenda mazhorancës.
Partia Demokratike dënon atë që e cilëson kërcënim ndaj Veliajt në qeli dhe kërkon hetim urgjent për Edi Ramën, Toni Gogun dhe Arbër Hajdarin, lidhur me pretendimet për presion dhe përpjekjet për marrjen e drejtimit të Bashkisë së Tiranës.
