Punonjësit e Gardës së Republikës po kërkojnë me ngulm rishikimin e menjëhershëm të pagave të tyre, duke theksuar se ndihen të nënvlerësuar financiarisht krahasuar me përgjegjësinë dhe natyrën e veçantë të detyrës.
Përmes një deklarate publike, Sindikata e Gardës u ka bërë apel institucioneve përgjegjëse dhe Ministrisë së Financave që të përgatisin një plan të qartë për rritjen e pagave.
Sipas përfaqësuesve sindikalë, prej vitit 2001 ky institucion nuk ka marrë vlerësimin që i takon, ndërkohë që diferenca historike prej 15 mijë lekësh me strukturat e tjera të sigurisë është eliminuar gjatë viteve.
Stafi i Gardës thekson se puna e tyre kërkon vigjilencë të vazhdueshme, përballje me presione të larta dhe mbajtjen e përgjegjësisë për mbrojtjen e figurave të rëndësishme shtetërore shqiptare dhe të huaja, arsye për të cilën kërkojnë trajtim të posaçëm financiar.
“Të mbrosh shtetin me jetë kërkon që edhe shteti të të vlerësojë me dinjitet”, thuhet në reagim.
Sindikata kërkon masa të qarta dhe nënvizon se çështja e pagave nuk mund të injorohet më tej.
Kjo deklaratë vjen në një periudhë kur qeveria ka miratuar tashmë një shpërblim financiar për mijëra punonjës të Policisë së Shtetit, për angazhimin e tyre në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, veçanërisht pas tensioneve me studentët gjatë protestave të fundit dy javëve të shkuara.

