Pas 34 ditësh hetime, autoritetet greke kanë zbardhur rrethanat e shpërthimit tragjik në zonën e Plakës, në Athinë, ku humbën jetën gjashtë persona, mes tyre edhe tre shqiptarë. Në mesin e viktimave ishin Florida Hoxha, bashkëshorti i saj Ian Alexander Kirkpatrick, si dhe vëllai i saj, Florin Hoxha, së bashku me bashkëshorten Eris Çani, e cila ishte shtatzënë dhe priste fëmijën e tyre të parë.
Në lidhje me ngjarjen janë arrestuar tre persona, dy shtetas grekë dhe një shqiptar, të dyshuar se shkaktuan rrjedhjen fatale të gazit gjatë tentativës për të vjedhur tuba bakri nga instalimet e një pallati.
Provat që ndihmuan në zbardhjen e ngjarjes ishin pamjet e kamerave të sigurisë dhe analizat laboratorike të kryera nga Universiteti Politeknik.
Sipas hetimeve, disa orë përpara shpërthimit, tre të dyshuarit iu afruan ndërtesës trekatëshe në Plaka. Dy prej tyre dyshohet se hynë brenda dhe u drejtuan drejt shkallëve, ku ndodhej matësi i gazit natyror. Gjatë përpjekjes për të vjedhur tubat e bakrit, ata prenë një prej tubacioneve të furnizimit me gaz, duke shkaktuar rrjedhjen.
Kamerat e sigurisë kanë filmuar dy të dyshuarit teksa largoheshin me shpejtësi nga ndërtesa, duke marrë me vete edhe një pjesë të tubit të bakrit. Ndërkohë, analizat laboratorike ndihmuan hetuesit të identifikonin pikën e saktë të dëmtimit të instalimit.
Pas prerjes së tubacionit, gazi natyror u përhap në ambientet e ndërtesës dhe u grumbullua në katin e dytë, ku banonte një çift të moshuarish.
Sipas skenarit që po shqyrtojnë hetuesit, shpërthimi dyshohet se ndodhi në momentin kur gruaja e moshuar u ngrit dhe ndezi një çelës elektrik, duke shkaktuar ndezjen e gazit. Fuqia e shpërthimit solli shembjen e një pjese të ndërtesës dhe vdekjen e gjashtë personave.
Tre të arrestuarit përballen me akuza të rënda, përfshirë zjarrvënie me dashje me pasojë vdekjen, shpërthim me pasojë rrezikimin dhe vdekjen e personave, vrasje me dashje në bashkëpunim dhe shkaktim të dëmtimeve të rënda trupore.

