Dy shtetas shqiptarë janë dënuar me nga 22 muaj burg në Britaninë e Madhe, pasi u përfshinë në kultivimin e kanabisit në një fermë të fshehur në një bunker nëntokësor, me një vlerë të përllogaritur rreth 500 mijë paund.
Bëhet fjalë për Gjergjivatal Pjeter, 33 vjeç, dhe Eldoh Sylaj, 31 vjeç, të cilët pranuan fajësinë për përfshirjen në prodhimin e lëndëve narkotike të klasit B.
Ferma e kanabisit u zbulua nga policia më 19 gusht, gjatë një operacioni në një zonë rurale pranë Wolston, në Warwickshire. Bimët narkotike kultivoheshin në ambiente të posaçme nëntokësore, të ndërtuara poshtë një objekti në këtë zonë.
Pamjet e kamerave të trupit të efektivëve kanë dokumentuar momentin e zbulimit të ambienteve të fshehta, ku kultivohej kanabisi.
Gjatë ndërhyrjes policia arrestoi pesë persona, por vetëm dy prej tyre, Pjeter dhe Sylaj, u akuzuan dhe dolën përpara drejtësisë.
Vendimi u dha më 26 tetor nga Gjykata e Kurorës në Warwick, e cila i dënoi të dy me nga 22 muaj burg. Gjithashtu, secili prej tyre u detyrua të paguajë 187 paund si tarifë shtesë për viktimat, ndërsa gjykata urdhëroi asgjësimin e lëndës narkotike të sekuestruar.



