Kryetari i Bashkisë Vau i Dejës, Kristian Shkreli, ka përgënjeshtruar raportimet se landfilli i Bushatit do të shërbejë për depozitimin e mbetjeve të 21 bashkive të vendit.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Shkreli sqaron se landfilli është i destinuar për mbetjet e qarqeve Shkodër dhe Lezhë. Ai thekson se Bashkia Vau i Dejës nuk ka marrë asnjë kërkesë dhe nuk ka nënshkruar marrëveshje për depozitimin e mbetjeve të bashkive të tjera.
Reagimi vjen pas debatit të shkaktuar nga një dokument i projektbuxhetit 2027, ku 21 bashki figurojnë në skemën e financimit për transportimin e mbetjeve drejt zonës së menaxhimit të mbetjeve Shkodër. Megjithatë, dokumenti nuk e përmend shprehimisht landfillin e Bushatit.

