Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka deklaruar se protestat kanë lëkundur qeverinë dhe pushtetin e kryeministrit Edi Rama.
Gjatë një interviste, Gjekmarkaj u ndal veçanërisht te protestat e studentëve dhe pedagogëve, të cilët i quajti “elita e vendit”. Ai theksoi se këta qytetarë kanë manifestuar pakënaqësinë në mënyrë të gjerë përmes një peticioni, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Rama.
Ai nuk kurseu kritikat ndaj qeverisë, duke e akuzuar atë për dështim në realizimin e angazhimeve që kishte marrë me studentët, duke iu referuar Paktit për Universitetin.
Sipas Gjekmarkajt, kërkesa e studentëve është një dhe e qartë: dorëheqja e kryeministrit. Ai shtoi se problemet që ata hasin nuk mund të zgjidhen nëpërmjet dialogut me një qeveri e cila, sipas tij, ka përqendruar pushtetin në duart e saj.
Duke vijuar, deputeti demokrat nënvizoi se, kur qytetarët ndihen të papërfaqësuar dhe u mohohet e drejta për të votuar lirshëm, protestat mbeten një ndër mënyrat kryesore të reagimit të shoqërisë.
“Studentët dhe pedagogë janë elita e një vendi dhe kjo elitë ka folur në mënyrë masive. Kanë firmosur një peticion ku kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama. Kryeministri flet për pakt për Universitetit, por ka qenë një copë letër. Asgjë për studentët, vetëm arrogancë e gënjeshtra. Ndaj studentët kanë vetëm një kërkesë që është dorëheqja. Dhe asgjë tjetër nuk i zgjidh shqetësimet e tij të shumta. Është e kotë të bisedosh me një qeveri, mazhorancë që ka uzurpuar 78 % të pushtetit në Shqipëri. Ai do të ketë çdo institucion. Këta njerëz në momentin që nuk përfaqësohen dhunohen dhe u pamundësohet vota e lirë dhe nëse ky raport është shkatërruar, atëherë çfarë i mbetet një shoqërie.”, tha ai.

