Gazment Bardhi, kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, ka shprehur kundërshtimin e tij të fortë pas publikimit nga ana e Presidencës të nismës për konsultime rreth datës së zgjedhjeve vendore të ardhshme.
Në reagimin e tij, Bardhi e përshkruan këtë iniciativë si një “teatër politik” dhe e shpall pa vlerë thirrjen e Presidentit Bajram Begaj për diskutime.
Sipas tij, Presidenti nuk po i qëndron detyrës së tij kushtetuese, por vepron në interes të kryeministrit Edi Rama.
Bardhi nënvizon se vendi ka nevojë për siguri që garantojnë zgjedhje të ndershme e të lira, duke theksuar se shqetësimet e qytetarëve duhet të trajtohen me urgjencën më të lartë demokratike.
Ai shpreh kritika ndaj Presidentit për mënyrën si po reagon ndaj protestave dhe kërkesave të shoqërisë, duke këmbëngulur se kreu i shtetit duhet të zëvendësojë heshtjen me përfaqësimin e Kushtetutës, të demokracisë dhe të interesave të qytetarëve.
REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI
Sapo jam njohur me shkresën e Institucionit të Presidentit për thirrjen e konsultimeve lidhur me datën që Edi Rama ka paracaktuar për zgjedhjet e ardhshme vendore. E përbuz me neveri këtë teatër politik.
Ftesa e Bajram Begajt është tërësisht e shpërfillshme dhe nuk meriton as koment. Për fat të keq, Shqipëria nuk ka një President të Republikës që përmbush rolin e tij kushtetues, por një ministër pa portofol në shërbim të Edi Ramës.
Shqiptarët janë në shesh për të kërkuar, ndër të tjera, garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nëse Shqipëria do të kishte një President që e ushtron realisht funksionin e tij kushtetues, ai do ta trajtonte këtë çështje si një emergjencë demokratike dhe do t’u përgjigjej me seriozitet shqetësimeve që prej muajsh po i nxjerrin qytetarët në shesh.
Në vend që të heshtë përballë këtyre shqetësimeve, Presidenti duhet të ishte zëri i Kushtetutës, i demokracisë dhe i qytetarëve. Por, në vend që të përmbushë këtë detyrim, ai zgjedh të mbetet në rolin e një spektatori, duke i shërbyer pushtetit në vend që të mbrojë institucionin që përfaqëson.

