Pasi kryeministri Edi Rama kritikoi protestuesit studentë, Gazment Bardhi, drejtuesi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, reagoi publikisht në rrjetet sociale.
Bardhi e cilësoi si të turpshme që kryeministri “del e baltos qytetarët”.
Sipas Bardhit, Rama po përdor një standard të dyfishtë: ndërsa për Belinda Ballukun, e cila është nën hetim nga SPAK për çështje korrupsioni dhe pastrim parash, kërkon prezumimin e pafajësisë, ndaj studentëve protestues aplikon akuza pa baza.
Ai përmendi disa zyrtarë të tjerë të mazhorancës që janë në ndjekje penale nga SPAK për akuza të ndryshme, duke theksuar se, sipas tij, persona të lidhur me krimin kanë qenë dhe mbeten në strukturat drejtuese të qeverisë.
REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI
Kur nuk ke përgjigje për kërkesat e rinisë, rruga më e lehtë është baltosja dhe shpifja! Por faktet flasin vetë!
Po të ishte kujdesur Edi Rama të verifikonte të kaluarën dhe integritetin e zëvendëskryeministrave, ministrave, deputetëve, kryetarëve të bashkive dhe drejtorëve të tij, Shqipëria nuk do të ishte katandisur në këtë gjendje.
Por, për të ruajtur pushtetin, ai ka dëshmuar se është i gatshëm të ngrejë në majat e qeverisjes individë të lidhur me krimin e organizuar. Ndërsa, për të goditur këdo që e konsideron kërcënim për pushtetin e tij, është i gatshëm të përdorë çdo mjet, deri në përpjekjet për të kriminalizuar kundërshtarët dhe qytetarët shqiptarë.
Për Belinda Ballukun, Erion Veliajn, Mirlinda Kaçanajn, Vlora Hysenin apo Ergys Agasin, na këshillon të mos flasim dhe t’i prezumojmë të pafajshëm, ndërsa qytetarët që protestojnë kërkon t’i shpallim fajtorë pa prova dhe pa një vendim gjykate.
Për Edi Ramën, pushteti duket se ka qenë gjithmonë më i rëndësishëm se integriteti, përgjegjësia dhe interesi i qytetarëve. Pikërisht kjo është një nga arsyet pse Shqipëria ndodhet sot në këtë gjendje.

