Mbrojtësi i djathtë Andi Hadroj është lojtari më i ri i Vllaznisë. Futbollisti 27-vjeçar ka arritur marrëveshjen me klubin shkodran dhe ka firmosur kontratën, duke u rikthyer kështu në kampionatin shqiptar pas eksperiencës në Ukrainë.
Hadroj vjen te kuqeblutë si lojtar i lirë, pas përfundimit të bashkëpunimit me Polissya Zhytomyr. Aventurën në futbollin ukrainas ai nuk arriti ta shfrytëzonte plotësisht, kryesisht për shkak të dëmtimeve që ndikuan në aktivizimin e tij. Në periudhën e fundit, mbrojtësi ishte pjesë e skuadrës së dytë të klubit, përpara se të ndërpriste marrëdhënien me të.
Me afrimin e tij, Vllaznia shton alternativat në krahun e djathtë të mbrojtjes. Hadroj ka fituar përvojë në futbollin shqiptar me disa skuadra, përfshirë Partizanin, ndërsa ka qenë gjithashtu pjesë e Kombëtares shqiptare.
Transferimi i tij pritet t’i japë më shumë mundësi trajnerit të Vllaznisë në organizimin e repartit defensiv. Përveç konkurrencës në krahun e djathtë, prania e Hadrojt mund t’i krijojë hapësirë Gurishtës për të luajtur në qendër të mbrojtjes.
Duke qenë se është transferuar si lojtar i lirë, Hadroj mund të jetë një alternativë për ndeshjet e ardhshme të Vllaznisë, në varësi të regjistrimit dhe gatishmërisë së tij fizike.

