Një djalë 14-vjeçar humbi jetën pasi u godit nga rryma elektrike në lagjen Balat të Stambollit, në një kohë kur reshjet e dendura të shiut sollën përmbytje në zona të ndryshme të qytetit të mërkurën. Mediat lokale raportuan se ngjarja ndodhi teksa i mituri po tentonte të kalonte një pellg të madh uji, moment në të cilin u prek nga energjia elektrike.
Shirat e forta shkaktuan dëme të konsiderueshme, duke përfshirë përmbytje në banesa dhe biznese. Rrugët kryesore, stacionet e metrosë dhe nënkalimet u mbushën me ujë, çka solli bllokimin e automjeteve dhe kaos të madh në qarkullimin rrugor në metropolin me rreth 16 milionë banorë.
Menjëherë pas përmbytjeve, prefektura e Stambollit bëri të ditur se shkollat do të qëndrojnë të mbyllura gjatë ditës së enjte.
Autoritetet bënë apel që qytetarët të shmangin daljet nga shtëpitë përveçse në raste të domosdoshme, ndërkohë që familjeve që banojnë në apartamente nën nivelin e tokës iu rekomandua që të kalojnë natën larg banesave të tyre.
