Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur procedurën e prokurimit për hartimin e projektit të detajuar që synon ndryshimin e një prej korridoreve kryesore të Shkodrës. Projekti, i emërtuar “Kopshti Linear dhe Aksi Multimodal Veri–Jug”, ka një fond limit prej 28 milionë e 57 mijë lekësh.
Ndërhyrja shtrihet nga lagjja “Rus” deri te rrethrrotullimi i Bypass-it në jug të qytetit. Në projekt përfshihen rruga “Mbreti Gent”, bulevardi “Zogu i Parë”, rruga “Studenti”, si dhe disa prej shesheve kryesore të Shkodrës.
Sipas dokumenteve të tenderit, synohet riorganizimi i hapësirave publike për t’u dhënë më shumë përparësi këmbësorëve, çiklistëve dhe transportit publik. Plani parashikon trotuare të përmirësuara, korsi të mbrojtura për biçikletat, riorganizim të parkimit dhe masa për rritjen e sigurisë në kryqëzime.
Një pjesë e rëndësishme e projektit është edhe krijimi i një kopshti linear përgjatë bulevardit, me më shumë pemë dhe sipërfaqe të gjelbra, si dhe përmirësim të ndriçimit publik. Ndërhyrjet do të përfshijnë gjithashtu menaxhimin e ujërave të shiut dhe lehtësimin e lëvizjes për personat me aftësi të kufizuara.
Në projekt janë përfshirë edhe sheshet “Balshaj”, “Parrucë” dhe “Demokracia”, si dhe hapësirat pranë institucioneve arsimore e kulturore.
Ky investim parashikohet në kuadër të programit “Porta e Alpeve”, i financuar përmes një huaje kuadër nga Banka Evropiane e Investimeve dhe i zbatuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Projekti lidhet me Planin e Lëvizshmërisë së Qëndrueshme Urbane për Shkodrën dhe Velipojën, të miratuar nga Këshilli Bashkiak në nëntor 2025.
Synimi është që transformimi i aksit Veri–Jug të koordinohet me investimet e tjera të planifikuara për qytetin, duke ndërthurur përmirësimin e lëvizshmërisë me zhvillimin e hapësirave publike, ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe nxitjen e turizmit.

