Deputeti i Partisë Socialiste, Adi Qose, ka komentuar përplasjen që pati me disa protestues së fundmi.
Sipas Qoses, ai vendosi të ndërhynte pasi situata gjatë protestës u përkeqësua, duke kaluar në ofendime drejtuar grave që punojnë në administratën e Kuvendit. Ai nënvizoi se këto punonjëse nuk kanë asnjë lidhje me partitë politike.
Qose shprehu mirëkuptim për pakënaqësinë e qytetarëve ndaj politikës, por theksoi se kjo nuk duhet të shtrihet ndaj personave që kanë shërbyer për vite në institucion.
“Është hera e parë që unë përballem me protestuesit dhe në fakt e kam bërë të ditur dhe në reagimin tim që ishte një përballje të cilën e mendova sepse pasi dola, shikoj një numër të vogël protestuesit që qëndronin jo më larg se 20 metra nga unë. Situata që më bëri të ndërhyja siç e kam shpjeguar është fakti që një pjesë e zonjave të Kuvendit të cilat punojnë në Kuvendin e Shqipërisë dhe nuk i përkasin asnjë force politike në fakt po denigroheshin me fjalën nga më të ndryshmet të cilat kanë të bëjnë me dinjitetin e tyre.
Kjo ishte arsyeja sepse unë u desh të reagoja sepse fakti është që këto protestues të cilët me telefona në duar reklamojnë në fakt të vërtetën sipas tyre dhe sipas telefonit të tyre sepse një pjesë e mirë e videove nuk publikohen asnjëherë, por shkëputen momente për të treguar atë të cilën ato pretendojnë që janë duke i ofruar publikut.
Kjo ishte arsyeja pse unë në fakt në fillim qëndrova dhe më pas pata dhe një diskutim me dy ose tre nga protestuesit që ishin aty pranë. Ishte arsyeja për të mbrojtur në fakt zonjat e Kuvendit në fakt sepse siç e shpjegova nuk kanë përkatësi politike fare.
Punojnë aty prej vitesh, punojnë për dinjitetin e tyre, për familjet e tyre dhe nuk ja kanë për borxh në fakt askujt të marrin ofendime nga më të ndryshmet. Unë e kuptoj indinjatën e tyre ndaj politikës dhe politikanëve, por kur kjo indinjatë tejkalon këto përmasa dhe më pas kalon dhe persona të tjerë të cilët nuk janë të përfshirë politik politikisht, unë mendoj që është e tepruar nga ana e protestuesve siç do theksoja dhe faktin që kur tejkalohet dhe reagimi ndaj deputetëve të Parlamentit të Shqipërisë”, tha ai.

