Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Joani, ishte pjesëmarrës në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare të mbajtur nga Patriarkana Ekumenike. Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë publikoi detaje dhe fotografi nga ngjarja, duke theksuar se fokusi i konferencës ishte “Sinodi i Shenjtë dhe i Madh i Kishës Orthodhokse (2016-2026): Vlerësime dhe perspektiva”.
Konferenca po mbahet në Chantilly të Francës, nga data 5 deri më 8 tetor, dhe sjell së bashku hierarkë, përfaqësues të Kishave Orthodhokse si edhe akademikë. Aktiviteti organizohet me rastin e 10-vjetorit të Sinodit të Shenjtë dhe të Madh të Kishës Orthodhokse, që u zhvillua në Kretë në vitin 2016.
“Ditën e hënë filluan punimet e Konferencës, hapjen zyrtare të së cilës e bëri Patriarku Ekumenik, Bartholomeu. Punimet e saj fokusohen në vlerësimin e dekadës që pasoi Sinodin e Shenjtë dhe të Madh të vitit 2016-të dhe në shqyrtimin e perspektivave të ardhshme për unitetin dhe bashkëpunimin brenda botës orthodhokse”, thuhet ndër të tjera në postimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

