Detaje të reja dalin nga dosja hetimore për vdekjen e 25-vjeçares Xhuana Nikollaj, e cila ndërroi jetë më 10 mars 2026 pasi konsumoi fostoksinë. Prokuroria dyshon se presioni psikologjik, kërcënimet dhe dhuna e pretenduar nga ish-partneri i saj kanë ndikuar në vendimin fatal.
Sipas dëshmive të administruara në dosje, pas ndarjes në vitin 2025, 25-vjeçarja ishte zhvendosur në Tiranë, por ish-partneri vijonte ta kontaktonte, edhe përmes numrave të tjerë pasi ajo e kishte bllokuar. Familjarët pretendojnë se ai e kërcënonte se do t’i bënte keq vetes nëse ajo nuk rikthehej në marrëdhënie.
Në dosje përmenden edhe episode të pretenduara të dhunës fizike, ndërsa motra e Xhuanës ka deklaruar se ajo i kishte treguar për një tjetër incident gjatë natës së 9 marsit.
Sipas dëshmisë së saj, ish-partneri e kishte marrë me makinë dhe e kishte çuar në Ranën e Hedhun, ku dyshohet se e kishte goditur me grushte dhe shpulla. Më pas, Xhuana ishte kthyer në Tiranë.
Edhe shoqja e saj e dhomës ka përshkruar kthimin rreth orës 03:00, duke deklaruar se kishte vënë re shenja në fytyrën dhe duart e 25-vjeçares. Në orët e natës, sipas dosjes, Xhuana i kishte dërguar mesazhe motrës ku i tregonte për konfliktin dhe dhunën.
Të nesërmen në mëngjes, rreth orës 09:07, Xhuana telefonoi motrën dhe i tha se kishte konsumuar fostoksinë. Ajo u dërgua në QSUT, por nuk mundi të mbijetonte.
Në hetim janë administruar dëshmitë e familjarëve dhe shoqes së dhomës, komunikimet në telefon, një letër e lënë në banesë, pamjet e kamerave të sigurisë dhe ekspertime të ndryshme.
Prokuroria e ka regjistruar çështjen për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”, ndërsa më 2 tetor Gjykata e Tiranës vendosi vazhdimin e masës “arrest në burg” për personin nën hetim.
Gjykata ka theksuar se në këtë fazë vlerësohet ekzistenca e një dyshimi të arsyeshëm dhe jo fajësia përfundimtare. Personi nën hetim prezumohet i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë.

