Lionel Messi pritet të bashkohet me Kombëtaren e Argjentinës të dielën, menjëherë pasi të përfundojë sfida kundër Burkina Fasos, në atë që mund të jetë ndeshja e tij e fundit me fanellën e Argjentinës në tokën e vet.
Trajneri Lionel Scaloni ka konfirmuar se ylli argjentinas do të mbërrijë në grumbullim pas ndeshjes, duke theksuar rëndësinë e veçantë të këtij momenti për Messin.
“Leo Messi pritet të bashkohet me ekipin të dielën, pas ndeshjes ndaj Burkina Fasos”, ka deklaruar Scaloni.
Scaloni sqaroi gjithashtu se ka punuar që Messi të jetë i pranishëm në këtë event, duke nënvizuar se një lojtari të këtij niveli i takon një përshëndetje e tillë.
“Ne e dinim gjithçka që ai po kalonte, por megjithatë ai donte të vinte dhe t’u thoshte lamtumirë njerëzve të tij”, ka thënë Scaloni.
Sipas trajnerit, kjo ceremoni duhet të ndodhë tani, pasi e ardhmja mbetet e pasigurt dhe ndoshta më vonë nuk do të ketë të njëjtën ndjesi magjike.
Ai shtoi se ka folur personalisht me Messin për të siguruar pjesëmarrjen e tij në këtë moment, ndërsa vendimi është mbështetur edhe nga Federata Argjentinase e Futbollit (AFA) dhe presidenti i saj, Claudio “Chiqui” Tapia.
“Është diçka shumë e bukur dhe Lionel Messi e meriton më shumë se kushdo”, ka deklaruar Scaloni.
Nëse gjithçka shkon sipas planit, Messi do të përjetojë një lamtumirë simbolike në Ezeiza, duke përmbyllur një periudhë mbi 20-vjeçare me Kombëtaren e Argjentinës dhe një karrierë të jashtëzakonshme ndërkombëtare.

