Një zjarr shpërtheu pranë një servisi makinash përgjatë autostradës Fier-Lushnje, afër zonës së njohur si “Pushimi i Shoferit”.
Flakët u vërejtën për herë të parë nga stafi i servisit, i cili njoftoi menjëherë shërbimin zjarrfikës. Fillimisht, zjarri përfshiu barin e thatë në pjesën e pasme të objektit, për t’u përhapur më tej me shpejtësi drejt ullishteve që ndodhen në të dy krahët e këtij territori.
Ndërhyrja e menjëhershme e ekipeve të zjarrfikësve bëri të mundur shuarjen e zjarrit dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të flakëve.
Si pasojë e incidentit, u dogjën disa rrënjë ullinjsh si dhe mbetje plastike automjetesh të depozituara pas servisit.
Në vendngjarje mbërritën edhe forcat e Policisë së Shtetit, të cilat bashkëpunuan me zjarrfikësit për të stabilizuar situatën.
Nuk ka raportime për persona të lënduar, ndërkohë që pritet të përcaktohen arsyet e shpërthimit të zjarrit.

