Deputetja Marjana Koçeku ka reaguar lidhur me filmimet e publikuara gjatë dy ditëve të fundit, duke deklaruar se vëmendja publike nuk duhet të përqendrohet te kjo çështje, por te zhvillime që, sipas saj, kanë më shumë rëndësi.
Koçeku solli në vëmendje bashkimin e partive shqiptare në Serbi, të cilat do të garojnë së bashku në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, nën një listë të përbashkët të quajtur “Koalicioni Shqiptar”.
Sipas deputetes, tetë subjekte politike shqiptare janë bashkuar për të garuar në një listë të vetme, ndërsa ajo e cilëson këtë si një zhvillim të rëndësishëm për përfaqësimin e shqiptarëve në Serbi.
“Filmimet që kanë dalë këto dy ditë nuk përbajnë lajm. Lajm asht që partitë shqiptare në Serbi janë ba bashkë. Por kjo temë nuk mori as vëmendjen ma minimale dhe u mbyt prej zhurmës së krijueme të lajmeve boshe”, shkruan Koçeku.
Ajo pretendon se ky bashkim vjen në një moment kur, sipas saj, shqiptarët në Serbi përballen prej vitesh me presion dhe vështirësi, ndërsa e lidh zhvillimin me protestat disa mujore në vend. Koçeku ka kritikuar gjithashtu qeverinë shqiptare, duke thënë se nuk ka reaguar apo mbështetur këtë nismë të partive shqiptare në Serbi. Më tej, ajo ngre shqetësimin për atë që e konsideron si mungesë të vëmendjes së diplomacisë shqiptare ndaj çështjes së shqiptarëve në Serbi.
Postimi i plotë:
Filmimet që kanë dalë këto dy ditë nuk përbajnë lajm. Lajm asht që partitë shqiptare në Serbi janë ba bashkë. Por kjo temë nuk mori as vëmendjen ma minimale dhe u mbyt prej zhurmës së krijueme të lajmeve boshe.
Tetë subjekte politike u bashkuen për me garu në nji listë të vetme, “Koalicioni Shqiptar”, në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi, kundër regjimit autokratik të Vuçiç. Këto zgjedhje vijnë si pasojë e presionit të protestave disa mujore dhe i gjejnë shqiptarët ma të bashkuem.
Qeveria jonë as reagoi e as e mbështeti nji akt të tillë vendimtar për përfaqësimin që u bahet shqiptarëve në Serbi. Rrallëherë ngrihet çështja e tyne edhe në takime të diplomacisë shqiptare, përveçse kur bahet fjalë për marrëveshje të mbrapshta siç ishte rasti i konsullatës serbe në Shkodër.
Shqiptarët në Serbi përveçse shtypen prej vitesh sidomos si pasojë e spastrimit me mjete administrative, nuk marrin as mbështetjen e meritueme nga qeveria e Shqipërisë.
Qeveria e Kosovës çdo vit e ka rrit me nga 1 milion euro mbështetjen për shqiptarët në Serbi. Po qeveria jonë, interesat e kujt mbron atje?

