Deputeti i Partisë Demokratike, Kliti Hoti, ka ngritur shqetësimin për mosnisjen e punimeve në aksin Milot-Balldre, ndonëse fituesi i procedurës u shpall më 5 qershor. Sipas tij, afro katër muaj pas këtij njoftimi, në terren nuk ka nisur ende ndërtimi.
Hoti kërkon transparencë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për nënshkrimin e kontratës dhe përfundimin e projektit teknik, duke vënë në pikëpyetje vonesat për një investim me vlerë 364.7 milionë euro për një segment prej 17 kilometrash.
Në një reagim publik, deputeti rikujton se më 4 qershor kishte kërkuar interpelancë me ministrin Enea Karakaçi për këtë projekt. Sipas tij, gjatë diskutimit ministri pranoi se procedura kishte pësuar vonesa dhe se shpallja e fituesit duhej të ishte bërë që më 20 maj. Një ditë pas interpelancës, më 5 qershor, fituesi u shpall, ndërsa qeveria premtoi nisjen e shpejtë të punimeve.
Por, sipas Hotit, në fund të shtatorit projekti vijon të jetë në pritje, ndërsa si arsye për vonesën është dhënë finalizimi i kontratës dhe i projektit teknik.
Deputeti demokrat thekson se qytetarët duhet të informohen se çfarë përfshin investimi, kur do të përfundojë procedura kontraktore dhe kur do të nisë ndërtimi i rrugës, të cilën e cilëson të rëndësishme për Lezhën, Shkodrën dhe gjithë veriun e vendit.
Hoti kërkon që Milot-Balldre të mos mbetet një tjetër premtim i përsëritur, por të kalohet nga deklaratat te zbatimi konkret
i projektit.

