Një udhëtim arsimor në një plazh në shtetin perëndimor të Maharashtras në Indi u kthye në tragjedi, pasi tetë nxënës humbën jetën duke u mbytur në det, raportojnë mediat vendase.
Të rinjtë, të gjithë 16-vjeçarë dhe nxënës të një shkolle private nga Pune, ishin pjesë e një grupi prej 48 vetash – përfshirë 25 djem, 17 vajza dhe gjashtë mësuese – që kishin udhëtuar rreth 170 kilometra drejt distriktit Raigad për ekskursionin.
Gjatë pasdites, grupi shkoi në plazhin Diveagar për një piknik, por aty ndodhi fatkeqësia.
Tetë nxënësit vendosën të laheshin në det, kur rrymat e fuqishme i tërhoqën larg bregut. “Gjatë vizitës së tyre në plazh, ata hynë në det. Por ata i nënvlerësuan rrymat dhe u mbytën”, deklaroi një zëdhënës policie për gazetën The Indian Express.

