Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve IRNA bëri të ditur se delegacioni nga Irani në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara nuk kishte në axhendë asnjë bisedim me Shtetet e Bashkuara, pavarësisht deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili shfaqi pritshmëri për më shumë negociata.
“Delegacioni i Iranit në Nju Jork nuk ka plane për negociata me Shtetet e Bashkuara”, raportoi IRNA, duke iu referuar një burimi anonim nga grupi iranian.
Trump, përmes një interviste me Axios të dielën, u shpreh se pret që bisedimet të rinisin së afërmi. Kjo deklaratë erdhi një ditë pasi ai rrëzoi një ofertë të Teheranit për rihapjen e ngushticës së Hormuzit në shtatë ditë, tregon The Guardian sipas Telegrafit.
IRNA shpjegoi se “Këndvështrimet dhe qëndrimet e Iranit iu përcollën qartë dhe në mënyrë eksplicite palës amerikane… përmes një ndërmjetësi nga Katari”, dhe shtoi se delegacioni iranian do të niset për në Teheran të martën.
Sipas deklaratës iraniane, janë prezantuar shtatë kushte për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të hapur sërish ngushticën e Hormuzit — kanal kyç nga ku kalonin rreth 20% e naftës dhe gazit botëror përpara shpërthimit të armiqësive.
Kjo ngushticë është bërë qendër e tensioneve që u përshkallëzuan pas sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iranit në muajin shkurt.
Pasi ndodhën këto sulme, Teherani vendosi një bllokadë të ngushtë mbi rrugën ujore, ndërsa Uashingtoni reagoi duke bllokuar portet iraniane.
Axios informoi se, me ndërmjetësimin e Katarit, bisedime indirekte mund të nisin që sot, më pak se një javë që nga takimet e fundit mes të dërguarve amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner dhe ministrit të Jashtëm iranian Abbas Araghchi.
Ishte Irani që propozoi një armëpushim shtatëditor në të gjithë Lindjen e Mesme, përfshirë edhe Libanin, ku aleati i tij, Hezbollahu, është nën bombardime të vazhdueshme nga Izraeli.
Kërkesat iraniane përfshijnë gjithashtu lirimin e aseteve të ngrira jashtë vendit, heqjen e sanksioneve mbi sektorin e naftës dhe përfundimin e bllokadës detare amerikane.
Këto kërkesa u refuzuan nga Trump të shtunën.

