Fotoreporteri italian Luca Turi ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të pasur vizuale të ngjarjeve më të rëndësishme që kanë shënuar qytetin e Barit dhe rajonin e Pulias për më shumë se pesëdhjetë vjet.
Ndër imazhet më të njohura të krijuara prej tij spikasin ato të datës 8 gusht 1991, kur anija Vlora mbërriti në portin e Barit, e mbushur me rreth 20 mijë shqiptarë — një nga momentet më të thella të eksodit shqiptar drejt Italisë.
Përmes objektivit të tij, Turi ka dokumentuar përmasat e jashtëzakonshme të këtij momenti, duke regjistruar skena të mijëra shqiptarëve që zbresnin në port dhe qëndronin në bordin e Vlorës, imazhe që u kthyen në simbole të eksodit të 1991-shit.
Gjatë karrierës së tij, Turi ka qenë pjesë e ekipit të ANSA-s, ku ka ndjekur nga afër jetën dhe zhvillimet në Bari për dhjetëra vjet.
Lajmin e ndarjes nga jeta të fotografit e ka njoftuar agjencia ANSA, e cila e ka përshkruar atë si “një fotograf të madh dhe dëshmitar autentik të historisë së afërt të Barit dhe Pulias”.
Kryebashkiaku i Barit, Vito Leccese, ka shprehur vlerësim të veçantë për kontributin e Turi-t në komunitet dhe ka theksuar se largimi i tij përbën humbje për qytetin, duke shtuar se “qyteti humb një fotograf të madh dhe një dëshmitar autentik të historisë së tij të kohëve të fundit”.
Imazhet e Vlorës dhe të mijëra shqiptarëve që zbarkuan në Bari më 8 gusht 1991 vazhdojnë të mbeten dëshmi të forta vizuale të një prej kapitujve më të rëndësishëm të historisë së emigracionit shqiptar.

