Pas vendimit të GJKKO-së për çështjen e banorëve të Rrjollit dhe projektit turistik “Blue Borgo”, ka reaguar kompania Gener 2, e cila është investitore në këtë projekt.
Përmes një deklarate publike, kompania sqaron se vendimi i gjykatës duhet parë në kuadër të procedurave të drejtësisë dhe, sipas saj, nuk mund të interpretohet si vërtetim i pretendimeve të ngritura nga banorët.
Gener 2 kundërshton mënyrën se si vendimmarrja e gjykatës është pasqyruar në disa raportime, duke argumentuar se përgjegjësitë ligjore mund të përcaktohen vetëm përmes provave dhe dokumentacionit të administruar në proces.
Kompania shprehet gjithashtu kundër asaj që e konsideron përdorim politik apo mediatik të një procedure në zhvillim, duke theksuar se akuzat e pakonfirmuara nuk duhet të paraqiten si përfundime të institucioneve të drejtësisë.
“Drejtësia zhvillohet mbi prova, dokumente dhe procedura ligjore, jo mbi tituj mediatikë apo deklarata politike”, thuhet në reagimin e Gener 2.
Kompania deklaron se është e gatshme t’u nënshtrohet verifikimeve institucionale dhe se disponon dokumentacionin dhe lejet përkatëse për projektin. Në deklaratë përmendet konkretisht Leja e Ndërtimit nr. 360/1, datë 15.01.2026, e miratuar në bazë të Vendimit nr. 39 të KKT-së, datë 17.12.2024.
Në fund, Gener 2 shprehet se do të respektojë çdo veprim të institucioneve të drejtësisë, ndërsa paralajmëron se do të mbrojë reputacionin, investimin dhe të drejtat e saj përballë çdo pretendimi që, sipas kompanisë, bëhet jashtë procedurave institucionale.

