Këshilltari në Këshillin Bashkiak të Shkodrës, Imeld Sokoli, ka ngritur shqetësimin për gjendjen e zonës së Komanit, një prej pikave të nisjes drejt Lumit të Shalës.
Përmes një postimi në Facebook, Sokoli ka publikuar pamje nga zona, ndërsa ironizon promovimin e investimeve në infrastrukturë dhe ngre problematikën e mbetjeve.
“Turizmi Shqiptar në një video… Ktu jemi ne pikën e Komanit ku nisen varkat e vogla për në Lumin e Shalës”, shkruan ai.
Më tej, këshilltari bashkiak shprehet se deputetët e Partisë Socialiste kanë publikuar investimin për rrugën që lidh zonën, ndërsa sipas tij, mbetet ende problem menaxhimi i mbetjeve.
“Nuk mbeti deputet i PS pa postuar rrugën që iu bë asaj zone mbas 13 vitesh persekutim, po mbetjet kush i pastron…”, shkruan Sokoli, duke e shoqëruar reagimin me një emoji ironik.
Postimi rikthen në vëmendje problematikën e menaxhimit të mbetjeve në zonat turistike, veçanërisht në pika që gjatë sezonit veror frekuentohen nga turistë vendas dhe të huaj.

