Pasi Gjykata Speciale në Hagë shpalli vendimet dënuese ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, Ministria për Evropën e Mbretërisë së Bashkuar publikoi një reagim zyrtar.
Ministri për Evropën, Lord Wood i Anfieldit, theksoi se Mbretëria e Bashkuar i qëndron e palëkundur parimeve të pavarësisë së Gjykatës dhe procesit të saj gjyqësor. Ai nënvizoi angazhimin e Britanisë së Madhe ndaj drejtësisë, llogaridhënies dhe pajtimit në të gjithë rajonin.
Po ashtu, autoritetet britanike përsëritën se Mbretëria e Bashkuar mbetet aleate dhe partnere e ngushtë e Kosovës, duke vazhduar mbështetjen e palëkundur për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të saj, si dhe për ruajtjen e paqes në Ballkanin Perëndimor.
Ministri britanik kujtoi gjithashtu: “Ne jemi krenarë për rolin që luajtëm, së bashku me aleatët e NATO-s, në parandalimin e një katastrofe humanitare në vitin 1999 dhe në mbështetjen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008”.
Sipas tij, ky vendim i Dhomave të Specializuara të Kosovës përfaqëson një pikë kthese të rëndësishme, por “nuk është një vendim mbi shtetësinë, sovranitetin apo të drejtën e Kosovës për të përcaktuar të ardhmen e saj”.
Ai shtoi: “Mendimet e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar janë me viktimat dhe familjet e tyre”.
Më tej në deklaratë theksohet: “konstatimet e Gjykatës kanë të bëjnë me individë dhe nuk duhet të përdoren për të nxitur tensione ndërmjet komuniteteve apo në mbarë rajonin. Në këtë moment të rëndësishëm, udhëheqësit politikë dhe figurat publike kanë përgjegjësinë të promovojnë qetësinë, të sigurojnë që çdo reagim të mbetet paqësor dhe që siguria e njerëzve të jetë përparësia kryesore”.
Lord Wood shtoi se Mbretëria e Bashkuar “do të vazhdojë të punojë me partnerët në rajon dhe më gjerë për të mbështetur paqen, drejtësinë dhe një të ardhme të sigurt e të begatë për të gjitha komunitetet”.

