I akuzuar nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera, në një dosje që lidhet me një tender me vlerë rreth 700 mijë euro, Benet Beci vijon të përballet me drejtësinë, por pa një vendim gjyqësor.
Në këtë situatë, pyetja që ngrihet është nëse kemi të bëjmë thjesht me pengesa procedurale, apo nëse shtyrjet po i japin të pandehurit kohë shtesë përballë një procesi që mund të ketë pasoja të rënda.
Një skenar që të kujton debatin e krijuar edhe rreth procesit ndaj ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ku zgjatja e procedurave dhe shtyrjet e seancave kanë qenë në qendër të vëmendjes.
Por, a po përsëritet i njëjti model edhe në Shkodër? A po fitohet kohë përmes procedurave dhe mungesave në sallën e gjyqit, ndërsa një vendim përfundimtar vijon të mbetet larg?
Seanca e parë në themel u shty në maj, ndërsa më 20 maj u raportua se ajo dështoi për herë të tretë, për shkak të mungesës së avokatit të tij dhe njërit prej anëtarëve të trupit gjykues.
Edhe më 29 maj, procesi u shty sërish, këtë herë për shkak të mungesës së prokurorit, ndërsa raportimet e mediave evidentuan edhe mungesën e Becit dhe avokatit të tij.
Në një kohë kur komunikimet e zbuluara përmes dosjeve të SKY ECC janë përdorur nga SPAK si prova në hetime dhe kanë çuar në arrestime të shumta, rasti i Benet Becit ngre pikëpyetje për standardet e ndjekjes penale.
Sipas burimeve të Northpress ne dosjen ndaj Becit ka komunikime të drejtpërdrejta me mesazhe në numrin e tij, ndërsa mësohet se përmes këtyre komunikimeve janë diskutuar shuma prej 500 mijë dhe 300 mijë eurosh. Megjithatë, akuza për korrupsion dhe pastrim të produkteve të veprës penale nuk janë përfshirë në gjykimin që vijon, ndërsa çështja është dërguar për gjykim për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë në tendera.
Në këtë pikë lind pyetja: pse për disa persona një komunikim i dyshimtë mjafton për masa ekstreme sigurie, ndërsa në rastin e një zyrtari të lartë, edhe kur pretendohet se ekzistojnë komunikime të drejtpërdrejta, standardi është tjetër?
Gjithashtu duhet të theksojmë se Beci ka përfituar nga gjykimi i shkurtuar, procedurë e cila synon një shqyrtim më të shpejtë të çështjes, por diçka e tillë duket se nuk po ndodh.
Sa gjatë mund të shtyhet një proces që qytetarët presin ta shohin të përfundojë me drejtësi?
Benet Beci ka të drejtën e plotë për t’u mbrojtur dhe prezumohet i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë. Por kjo nuk e zbeh interesin publik për çdo shtyrje, çdo mungesë dhe çdo procedurë që e largon në kohë momentin kur gjykata do të thotë fjalën e saj.

