Një tjetër rast i kultivimit të bimëve narkotike është goditur nga Policia e Mallakastrës. Operacioni, i koduar “Burimi”, ka çuar në arrestimin e një 41-vjeçari, i dyshuar për kultivimin e bimëve narkotike në një sipërfaqe toke shtetërore.
Në pranga ka rënë shtetasi K. L., 41 vjeç, banues në fshatin Cfir.
Sipas Policisë, gjatë kontrolleve në territor, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër konstatuan se 41-vjeçari kishte kultivuar 80 bimë narkotike Cannabis Sativa në një sipërfaqe toke shtetërore, pranë tokës që ai kishte në pronësi në këtë fshat.
Pjesa më e madhe e bimëve narkotike u asgjësua nëpërmjet djegies, ndërsa një sasi e vogël u sekuestrua dhe u administrua si provë materiale.
Policia bën me dije se kontrollet dhe puna operative për evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, në ambiente të hapura dhe të mbyllura, do të vijojnë.
Materialet procedurale në ngarkim të 41-vjeçarit i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

