Musa Kurtulaj: Pse disa ish-zyrtarë të majtë sulmojnë Ramën? “Mos vallë u dhemb edhe karrigia e humbur?”

Publikuar me datë:

Nga Musa Kurtulaj

Përse disa ish-zyrtarë të majtë sulmojnë Edi Ramen ?

Ka disa ish-zyrtarë të së majtës, që kanë qenë deri në nivelet më të larta të qeverisjes — zv/kryeminister, ministra, zv/ministra, drejtorë, deputetë e madje edhe pjesë e forumeve drejtuese të PS-së — të cilët sot janë deklaruar kundër Edi Ramës dhe rreshtuar krah protestuesve në gjiroprotestën e mbrëmjeve rrugëve të Tiranës.

Pyetja në këte rast është e thjeshtë: çfarë i ka shtyrë vallë të marrin këtë qëndrim?

Mos u ka mbetur ndonjë peng që nuk u përfshinë në kabinetet e fundit qeveritare? Mos ndihen të prekur sepse prej kohësh nuk janë më pjesë e forumeve drejtuese të PS-së? Mos vallë u kanë munguar ato privilegjet, mundësitë dhe komoditetet që zakonisht i sjell pushteti?

Sigurisht, mund të jetë edhe një shqetësim i sinqertë për qeverisjen dhe demokracinë. Por në këte histori duket se ka një “rastësi” interesante që nuk mund të anashkalohet: demokracia duket se bëhet shumë më e rëndësishme pasi humbet posti, pushteti apo karrigia !

Ajo që të bën përshtypje është se asnjëri prej tyre nuk merr mundimin të shpjegojë qartë se çfarë ka ndodhur, cilat parime janë shkelur dhe pse pikërisht tani e kanë zbuluar këtë “alarm të madh” demokratik. Në vend të kësaj, i shohim nëpër televizione e rrjete sociale duke sulmuar Ramën, ndërsa njëkohësisht deklarohen të shqetësuar për PS-në, demokracinë, popullin dhe Shqipërinë.

Madje, nga mënyra si flasin, të krijohet përshtypja se kush mbështet qeverinë dhe Ramën qenka automatikisht kundër demokracisë, kundër PS-së, kundër popullit dhe, pse jo, edhe kundër Shqipërisë!

Epo, kjo është paksa e tepërt dhe ska vënd ku të rrijë.Askush nuk ua mohon të drejtën të kritikojnë Ramën, PS-në apo qeverinë. Demokracia pikërisht këtë të drejtë ua jep të gjithëve. Por po aq demokratike është edhe të pyesësh: ku ishin këto shqetësime kur ata vetë “notonin” pushtet ?

Në raste të kësaj natyre, qytetari ka të drejtë të jetë skeptik kur dikush e zbulon papritur “parimin” pikërisht në momentin kur nuk ka më një post për të mbrojtur.

Ndoshta vërtet u dhemb zemra për demokracinë, ndoshta u dhemb zemra për PS-në, ndoshta u dhemb zemra për Shqipërinë…

Por ama, një gjë mbetet për t’u sqaruar: mos vallë, përtej gjithë këtyre fjalëve të mëdha, u dhemb pak edhe… karrigia e humbur ?!

Dihet se kur je në pushtet, gjithçka duket më e tolerueshme, kur del nga pushteti, papritur edhe karrigia fillon të duket si çështje parimore ! Ky është një problem shumë i madh dhe i kahershëm në vëndin e shqiponjave !

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related