Publikohet fotografia e Gentian Çipit, shqiptarit që u arratis spektakularisht nga spitali i Serres në Greqi. Më shumë se ora 23:00, i burgosuri 40-vjeçar pretendoi se nuk ndihej mirë dhe u dërgua për ekzaminime mjekësore në Spitalin e Serres.
Aty, sipas burimeve, pritej nga bashkëpunëtorët e tij, të cilët ishin maskuar si policë dhe drejtonin një automjet bujqësor të pajisur me dritë, për t’i dhënë pamjen e një makine të OPKE-së.
Transporti i 40-vjeçarit u krye nga rojet e jashtme të burgut, pasi Policia Helenike nuk ishte vënë në dijeni dhe nuk ishte kërkuar ndërhyrja e saj, sipas informacioneve nga policia.
Sipas raportimeve, autorët arritën të marrin një armë nga njëri prej rojave të sigurisë para se të largoheshin me 40-vjeçarin nga ambientet e spitalit. Policia greke ka arritur të gjejë njërin nga dy automjetet që dyshohet se u përdorën gjatë arratisjes.
Mjeti u gjet i braktisur dhe i përplasur në një rrugë pranë spitalit, ku sipas mediave greke, në brendësi të tij janë gjetur një kallashnikov dhe fishekë.
Gentian Çipi, 41 vjeç nga Korça, rezulton të jetë një person me precedentë të rëndë penalë si në Shqipëri ashtu edhe në Greqi. Në Shqipëri, ai u dënua në korrik të vitit 2024 me 2 vjet burg për “shkatërrim i pronës me zjarr” të kryer në bashkëpunim dhe në rrethana rënduese. Fillimisht ndaj tij ishte vendosur masa “Arrest në burg”, por më vonë gjykata e zbuti në “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Garancia pasurore”. Çipi akuzohet për djegien e një automjeti më 24 prill 2023, në lagjen 13, rruga “Loni Grazhdani” në Korçë.
Ndërkohë, në janar të vitit 2023, gjatë operacionit “Fijet”, policia procedoi Gentian Çipin për vendosje të paligjshme të kamerave pranë banesës së tij. Në 3 shtator 2024, Çipi dyshohet se hapi zjarr në Pylaia të Selanikut, duke tentuar të vrasë një 25-vjeçar grek jashtë një kantine. Viktima u godit me tre plumba por mbijetoi, ndërsa Çipi arriti të largohej.
Policia greke e identifikoi Çipin dhe organizoi një operacion për arrestimin e tij në shtator të vitit 2025. Gjatë këtij operacioni, u ndaluan edhe Enea Basholli, 31 vjeç, dhe Kleo Topa, 24 vjeç, të dy nga Korça. Sipas autoriteteve greke, Gentian Çipi është drejtuesi i një grupi kriminal që merret me trafik droge dhe veprimtari të dhunshme.
Gjatë operacionit në Selanik, Çipi dhe Topa nuk iu bindën urdhrave të policisë, por shtuan shpejtësinë dhe kryen manovra të rrezikshme, duke përplasur një automjet të policisë. Pas braktisjes së mjetit, ata arritën të largoheshin në këmbë, por më pas u kapën.
Vetëm pak orë më pas, në zonën e Halkidikisë, u arrestua edhe Enea Basholli. Kontrolli i policisë greke çoi në sekuestrimin e një kallashnikovi me 30 fishekë, 3 pistoletave, një silenciatori, rreth 31 kilogramëve marijuanë, një pasaporte të falsifikuar, një patente të falsifikuar, 23,350 eurosh, disa aparate celularë si dhe 3 automjete.

