Një zjarr i madh ka shpërthyer këtë të shtunë në zonën Nikaj-Mërtur të Tropojës, pikërisht në Lugun e Ndërmajës, duke rrezikuar sipërfaqe të gjera pyjore të mbushura me pemë që kanë kaluar moshën një shekulli.
Ndryshe nga zona të tjera të vendit, Tropoja nuk ishte prekur nga incidente të tilla gjatë kësaj periudhe, duke mbetur e qetë deri në raportimin e fundit për këtë vater zjarri.
Përhapja e flakëve ka vënë në rrezik serioz masivet pyjore dhe pemët shekullore të zonës, duke e bërë të domosdoshme një reagim të shpejtë të autoriteteve për të parandaluar shkatërrimin e mëtejshëm.
Deputeti i Partisë Demokratike, Isuf Çelaj, ka reaguar publikisht duke u bërë thirrje institucioneve që të ndërhyjnë pa vonesë: “Angazhohen me të gjitha mjetet e forcat për fikjen e kësaj vatre zjarri”.
“Pas gjithë kësaj periudhe të vapës dhe rasteve të shumta të zjarrvënies në zona të ndryshme të vendit, deri sot në këtë moment në Tropojë nuk ka pasur asnjë rast të zjarrëvënies, por sot në zonën e Nikaj Mërturit, pikërisht në Lugun e Ndërmajës, masivet mbi 100-vjeçare janë përfshirë nga flakët!!! Thirrja ime shkon për të gjitha institucionet e agjencitë përgjegjëse si Bashkia, Prefektura e AEC e Republikës që të angazhohen me të gjitha mjetet e forcat për fikjen e kësaj vatre zjarri”, shkruan deputeti Çelaj.

