Sofia Morera de Sousa, ambasadorja e re e Bashkimit Evropian, ka dhënë mesazhin e saj të parë pasi mori detyrën në Tiranë, duke theksuar se do të jetë plotësisht e përkushtuar në mbështetjen e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Ajo vlerëson se ky është një moment kyç për vendin, duke theksuar se misioni i saj në kryeqytetin shqiptar ka një synim të qartë të përbashkët me Brukselin.
“Është nder të jem këtu në një moment kaq vendimtar, të rrugës së shqiptarëve drejt BE. Së bashku me ekipin tim, në delegacionin e BE jam këtu për të mbështetur çdo të shqiptarëve drejt integrimit në BE.
Në koordinim të ngushtë me shtetet anëtare, do të angazhohemi me të gjithë aktorët dhe partnerët drejt këtij qëllimi të përbashkët. Në katër vitet e ardhshëm të misionit tim, në këtë vend të bukur dhe mikpritës, mund të mbështeteni në angazhimin tim absolut për të ndërtuar së bashku të ardhmen evropiane, të shqiptarëve.”
Diplomatja europiane, me origjinë nga Portugalia, ka një eksperiencë të gjatë në shërbimin diplomatik të BE-së. Përpara ardhjes në Tiranë, ajo ushtroi funksionin e përfaqësueses së Komisionit Europian në Spanjë për pesë vite, ndërsa më parë ishte ambasadore e BE-së në Kepin e Gjelbër. Gjithashtu, Morera de Sousa ka pasur detyra të tjera në Afrikën e Jugut dhe Etiopi, si dhe ka qenë këshilltare e lartë për politikën e jashtme në Bruksel.
Sofia Morera de Sousa merr stafetën nga italiani Silvio Gonzato. Nëse procesi i integrimit do të kurorëzohet me sukses, atëherë ajo do të jetë ambasadorja që do të përfaqësojë BE-në në anëtarësimin e Shqipërisë në vitin 2030.

