Zona e Kalivacit në Njësinë Administrative Ungrej të Lezhës është përfshirë nga një zjarr i madh, i cili ka vendosur në rrezik komunitetin lokal.
Përhapja e flakëve është përshpejtuar nga era e fortë që ka kapluar rajonin, duke bërë që zjarri të avancojë në disa drejtime dhe të afrohet gjithnjë e më tepër pranë banesave. Situata mbetet problematike, teksa perimetri i zjarrit po vazhdon të zgjerohet.
Banorët, së bashku me forcat e emergjencës dhe ekipet zjarrfikëse, po punojnë në terren për të izoluar dhe vënë nën kontroll flakët. Për shkak të intensitetit të zjarrit dhe kërcënimit të drejtpërdrejtë ndaj zonës së banuar, ndërhyrja po kryhet edhe nga ajri. Është kërkuar ndihma e ushtrisë dhe një helikopter i dytë për të mbështetur operacionin.

