Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së ka publikuar vendimet për ngjarjet e fundit, ku në fokus janë edhe drejtues dhe pjesëtarë të stafit të Vllaznisë.
Dënimin më të rëndë e ka marrë presidenti i klubit shkodran, Alban Xhaferi. Ai është pezulluar për 15 ndeshje, për shkak të sulmit ndaj zyrtarëve të ndeshjes. Gjatë kësaj periudhe, Xhaferit i ndalohet edhe hyrja në stadiume.
Me masë disiplinore është ndëshkuar edhe trajneri Edi Martini. Komisioni ka vendosur pezullimin e tij për 6 javë, për shkelje të rregullave të sjelljes dhe sjellje josportive ndaj zyrtarëve të takimit.
Ndërkohë, trajneri i portierëve, Elis Dervishaj, është pezulluar për 4 ndeshje, gjithashtu për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes.
Në vendimet e Disiplinës është përfshirë edhe Elbasani, i cili është gjobitur me 1 milion lekë të vjetra për organizim jo të mirë të takimit.
Masat disiplinore lidhen me episodet e regjistruara gjatë ndeshjes së fundit dhe prekin disa prej figurave kryesore të klubit shkodran.


