Dhjetë vite pas rënies së tij në krye të detyrës, efektivi i FNSH-së Shkodër, Ardian Kodra, u përkujtua në një ceremoni në nderim të figurës dhe kontributit të tij në Policinë e Shtetit.
Mes momenteve të ceremonisë, veçanërisht prekës ishte qëndrimi i mbesës së vogël pranë varrit të gjyshit të saj.
Ajo nuk pati mundësinë ta njihte, por është rritur me historitë dhe kujtimet që familjarët i kanë treguar për të.
Kujtimi i Ardian Kodrës u nderua nga drejtues dhe efektivë të Policisë Vendore Shkodër, përfaqësues të Prefekturës së Qarkut Shkodër, kolegë, familjarë dhe të afërm.
Kodra shërbeu për 19 vite në radhët e Policisë së Shtetit dhe humbi jetën gjatë një operacioni për arrestimin e një shtetasi në Lezhë.
Në vitin 2016, gjatë ndërhyrjes policore për arrestimin e David Qosjes, Ardian Kodra u qëllua me armë zjarri. Pavarësisht plagëve të rënda, efektivi nuk mundi t’u mbijetojë atyre.
Autori u arrestua nga policia, ndërsa më pas Ardian Kodra u shpall “Dëshmor i Atdheut”, për sakrificën dhe rënien në krye të detyrës.
Dhjetë vite më pas, emri dhe kujtimi i tij vijojnë të jetojnë përmes familjes, kolegëve dhe atyre që e njohën, por edhe përmes rrëfimeve që mbesa e tij e vogël dëgjon për gjyshin që nuk pati mundësinë ta njihte.

