Pasi kaloi rreth dy orë i bllokuar brenda Kryeministrisë, Edi Rama u largua nga ndërtesa nën masa të forta sigurie, pasi protestuesit kishin zënë hyrjet kryesore.
Kryeministri shfrytëzoi çastin kur turma nisi të marshojë nëpër rrugët e Tiranës për t’u larguar nga zyra e tij.
Protestuesit, të armatosur me flamuj kombëtarë, pankarta dhe simbolet e “Revolucionit Flamingo”, u mblodhën përballë Kryeministrisë prej orës 20:00 dhe vazhduan të brohorasin kundër qeverisë gjatë gjithë mbrëmjes.
“Këtu vendosim ne!”, “Rama ik!” dhe “Rama diktator!” ishin disa nga parullat që u dëgjuan gjatë protestës.
Përballë godinës u vendosën forca të shumta të Policisë së Shtetit dhe FNSH-së, të cilat krijuan një kordon sigurie. Situata u tensionua në momente të caktuara, kur forcat e rendit u përpoqën të largojnë protestuesit nga hyrjet e Kryeministrisë.
Në këto rrethana, dalja e kryeministrit nga ndërtesa u realizua me masa të forcuara sigurie. Pamjet e transmetuara nga protesta shfaqin momentin kur eskorta e Ramës largohet nga zona, ndërkohë që prezenca e madhe e forcave të sigurisë siguron rrugën e tij.

